Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës në Japoni, realizoi takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë, Joshimasa Hajashi. Ministrat e filluan takimin me nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunim teknik ndërmjet dy vendeve, me të cilën forcohet mundësia për implementimin e ndihmës bilaterale japoneze për Maqedoninë e Veriut, por edhe pasurohet korniza e dakorduar. Gjithashtu, Marrëveshja paraqet bazë për avancimin e marrëdhënieve bilaterale në më shumë aspekte, para se gjithash në pjesën e bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjeve të biznesit. Me këtë rast, Osmani, falënderoi për ndihmën shumëvjeçare dhe të vazhdueshme japoneze përmes projekteve të shumta, granteve dhe donacioneve, që e rangojnë Japoninë ndër donatorët më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut.“Ndihma japoneze për Maqedoninë e Veriut, në mënyrë kumulative arrin pothuajse gjysmë miliard dollarë. Projekte të shumta të financuara nga Japonia e nxisin zhvillimin tonë ekonomik dhe social: nga rikonstruimi i shkollave, përmirësimi i kushteve në objektet mjekësore deri te mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ruajtja e mjedisit jetësor – të gjitha këto janë fusha në të cilat ndihma japoneze fuqishëm kontribuon në zhvillimin e vendit” – theksoi Osmani. Gjatë bisedimeve u shqyrtuan edhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjeve të biznesit, ku Osmani në këtë pjesë si veçanërisht të rëndësishme e vlerësoi Iniciativën e Japonisë për bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, Ministri Osmani informoi edhe për prezantimin e kushteve që i ofron vendi për investitorët e huaj, në kuadër të Forumit të biznesit (JETRO), si dhe pjesëmarrjen e ardhshme të Maqedonisë së Veriut në OSAKA 2025. “Për ne, forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe i lidhjeve të biznesit me Japoninë është veçanërisht i rëndësishëm. Pata mundësi të shkëlqyer për të promovuar klimën e biznesit në Maqedoninë e Veriut para një sërë kompanish japoneze nga industria e automobilave, energjetikës, sektorit të IT-së dhe fushave të tjera, të cilat treguan interes për të investuar në vend. Njëherazi, pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në OSAKA EXPO 2025, do të kontribuojë në rritjen e dukshmërisë së vendit tonë në Japoni dhe do të hapë mundësi për arritjen e partneriteteve të reja biznesore dhe tërheqjen e investimeve japoneze” – theksoi OsmaniNë takim u shpreh dënimi i përbashkët ndaj invazionit rus në Ukrainë, i cili në radhë të parë e rrënon arkitekturën e sigurisë evropiane, por njëherazi ndikon në mënyrë të barabartë edhe në kontinentin aziatik, Indo-Paqësorin dhe në rendin e përgjithshëm ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Njëherazi, Osmani iu referua jubileve të rëndësishëm të ardhshëm – 110 vjetorit të lindjes së Kenzo Tange në 2023 dhe 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në 2024, të cilat paraqesin mundësi të mirë për të shënuar arritjet e deritanishme dhe sukseset në marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve.