Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Çekisë në Shkup, Jaroslav Ludva.
Duke theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Çeke, ministri Osmani theksoi se vizita e ardhshme e kolegut çek Jan Lipavski në vendin tonë është konfirmim i miqësisë tradicionale dhe bashkëpunimit të gjerë sektorial.
Bashkëbiseduesit u dakorduan se të dy vendet realizojnë një partneritet të rëndësishëm në kuadër të OKB-së, NATO-s dhe OSBE-së dhe Republika Çeke mbetet një nga mbështetësit më të zëshëm të vendit tonë në drejtim të politikës së zgjerimit të BE-së.
Në takim u diskutua edhe për kryesimin aktual të vendit me OSBE-në dhe sfidat e sigurisë dhe ekonomike me të cilat po përballen vendet pas agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës.