Halili: FIZHT me thirrje të re publike “Startup 5” e dedikuar për mbështetje të eko-sistemit startup

Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik sot shpalli thirrjen publike Startup 5, me të cilin janë vënë në dispozicion gjithsej 2 milionë euro mjete financiare të pakthyeshme për të mbështetur eko-sistemin startup maqedonas.

Thirrja publike “Startup 5” është thirrja e pestë radhazi, e cila ofron kushte më të lehta për aplikim dhe akses më të lehtë financiar për ndërmarrjet start-up dhe spin-off. Qëllimi është inkurajimi i inovacionit tek ndërmarrjet e sapothemeluara duke ofruar mbështetjen e nevojshme financiare për aktivitetet që lidhen me hulumtim dhe zhvillim. Mbështetja përmes kësaj thirrjeje është e dedikuar për projektet që kanë të paktën “dëshmi të konceptit” dhe ambicie të qartë komercializimi, si dhe për projektet të cilët janë në fazën e dëshmis së konceptit deri në fazën e parakomercializimit (para tregtimit).

Mjetet financiare të marra në këtë thirrje janë të pakthyeshme, me çka ndërmarrjet startup maqedonase marrin mbështetje të madhe dhe mundësi për të prezantuar inovacione në veprimtaritë e tyre, për të përmirësuar produktin/shërbimin e tyre dhe për të arritur sukses në treg. Nga buxheti i përgjithshëm i thirrjes, Fondi do të sigurojë 40,000 euro (deri në 90%) të buxhetit të përgjithshëm të projektit për shoqëritë tregtare deri në tre vjet ekzistencë, gjegjësisht deri në 60,000 euro (85%) të buxhetit të përgjithshëm të projektit për shoqëritë tregtare me më shumë se 3, dhe më pak se 6 vjet ekzistencë. Shuma e mbetur 10% respektivisht 15% e buxhetit të përgjithshëm të projektit duhet të sigurohet nga ana e aplikuesit.

Në këtë thirrje mund të aplikojë edhe një ekip i përbërë nga maksimumi pesë anëtarë – persona fizikë. Në këtë rast, aplikanti është i detyruar që brenda 30 ditëve kalendarike pas marrjes së Njoftimit për përzgjedhjen e propozim-projektit, të themelojë një shoqëri tregtare në të cilën të paktën 51% e anëtarëve të ekipit do të paraqiten si themelues.

Për sa i përket aktiviteteve që do të miratohen për financim, do të mbështeten aktivitetet për hulumtim dhe zhvillim, zhvillim të linjave pilot, prodhim ose shërbim, aktivitetet e testimit dhe validimit, aktivitetet e testimit të tregut dhe të tjera. Si shpenzime të pranueshme do të konsiderohen: pagat bruto për personat që janë ose do të punësohen tek shfrytëzuesi, furnizimi dhe/ose huazimi i pajisjeve dhe materialeve harxhuese për hulumtim dhe zhvillim, si dhe shërbimet e nënkontraktuara për hulumtim dhe zhvillim.

Për sa i përket procesit të evaluimit, të gjitha aplikacionet e projekteve të pranuara do të kalojnë në dy faza. Faza e para-përzgjedhjes, e cila kryhet nga tre ekspertë vendas, dy ekspertë nga fushat që korrespondojnë me kriteret e evaluimit dhe një person nga fushat që korrespondon me propozim projektin. Faza e përzgjedhjes kryhet nga Komisioni i Miratimit të Investimeve, i cili merr vendimin përfundimtar për financimin nëpërmjet këtij Instrumenti.

Thirrja publike “Startup 5” është e hapur deri më 15 qershor 2023, ora 14:00. I gjithë dokumentacioni i projektit dhe mënyra e aplikimit janë në dispozicion në faqen e internetit: https://shorturl.at/dwY01

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…