OSBE-ja në bashkëpunim me Bosnje dhe Hercegovinën ofron shumë praktika të mira, të cilat mund të shtohen për të kontribuar në përmirësimin e politikave dhe proceseve publike. Këtë e theksoi Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së ndodhet për vizitë dyditore në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në konferencën për media me Ministrin e Punëve të Jashtme të BeH, Elmedin Konakoviq, Osmani tha se Maqedonia e Veriut dhe BeH kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm në nivel bilateral, por edhe në kuadër të OSBE-së, gjë e cila është e dukshme përmes mbështetjes së prioriteteve që vendi ka vendosur në kuadër të kryesimit të OSBE-së dhe mbi të gjitha në drejtim të luftës kundër korrupsionit.
“Lufta kundër korrupsionit është një nga tiparet kryesore të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në dhe në të gjithë rajonin e Europës Juglindore. Qëllimi ynë është të fitojmë mbështetje të gjerë politike nga vendet e rajonit për të forcuar përpjekjet e tyre për të zhvilluar dhe zbatuar politika më të forta dhe rezultate efektive”, tha Osmani në konferencën për media me Konakoviqin. Ai shtoi se OSBE-ja do të vazhdojë t’i mbështesë autoritetet në zbatimin efektiv të ligjeve ekzistuese kundër korrupsionit dhe në këto përpjekje autorët do të dalin para drejtësisë.
“Jo vetëm në BeH, por edhe në të gjithë rajonin, OSBE-ja do të vazhdojë të zhvillojë rregulloret kryesore kundër korrupsionit nga të cilat do të përfitojnë institucionet, por më e rëndësishmja qytetarët si shfrytëzues të fundit të shërbimeve të tyre”, tha Osmani.
Duke folur për sfidat me të cilat përballet OSBE-ja, ndër të cilat më i madhi është agresioni ushtarak ndaj Ukrainës, Osmani bëri thirrje për bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe shtimin e përpjekjeve për një reagim të koordinuar rajonal.
“Kjo vlen edhe për rajonin tonë, rajonin e Europës Juglindore. Jemi nisur drejt rrugës së reformave dhe zhvillimit dhe është vendimtare për ne që të lëmë pas të kaluarën dhe të shohim përpara, së bashku dhe të bashkuar, drejt së ardhmes. Për këtë qëllim është e rëndësishme që Bosnja dhe Hercegovina t’i kapërcejë dallimet dhe të flasë me një zë të vetëm përmes një dialogu të brendshëm efektiv”, tha Osmani. Ai ofroi gjithashtu ndihmë të drejtpërdrejtë nga Maqedonia e Veriut si vend me përvojë personale në proceset e tejkalimit të dallimeve dhe nxitjes së kulturës së dialogut.
OSBE-ja do të vazhdojë të drejtojë mbështetjen e saj për BeH në fushën e ndërtimit të besimit, si dhe në krijimin e politikave dhe proceseve të tjera publike.
“OSBE-ja do të vazhdojë t’i promovojë përpjekjet për ndërtimin e besimit, si në Majevicë, që është një histori suksesi e bashkëpunimit ndërentitetesh të pesë kryetarëve të komunave. Ata e kanë lënë anash trashëgiminë e luftës dhe tani po ndërtojnë ura dhe po zbatojnë projekte për forcimin e zhvillimit ekonomik në të mirë të të gjithë qytetarëve të tyre”, thеksoi Osmani.