Konferenca rajonale “Avancimi i barazisë gjinore në Parlament”, kryeparlamentari Xhaferi ju drejtohet të pranishmëve 

Më lejoni të shpreh kënaqësinë personale që mund të përshëndes në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal të gjithë të pranishmit në këtë Konferencë rajonale në organizim të Klubit të Deputeteve pranë Kuvendit, a me mbështetje pa rezervë të Misionit të OSBE-së në Shkup.

Republika e Maqedonisë së Veriut ka vendosur një kornizë të fortë për avancimin e barazisë gjinore në jetën publike dhe politike dhe është pjesë e të gjitha politikave ndërkombëtare të rëndësishme për çështjet gjinore siç është Konventa e Kombeve të Bashkuara për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit mbi gratë, Platformës së Pekinit për aksion e Kombeve të Bashkuara, Konventës së Këshillit të Evropës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe Konventës së Stambollit për parandalimin dhe luftën kundër dhunës mbi gratë dhe dhunës familjare. Ekziston vullnet për zbatimin e reformave me qëllim të përforcimit të demokracisë parlamentare dhe avancimit të senzitivitetit gjinor. Këtë e konfirmon edhe ODIHR-i, Zyra e Institucioneve Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut pranë OSBE-së, e  cila i pranon angazhimet reale dhe arritjet e konsiderueshme për sigurimin e barazisë gjinore edhe me ligj edhe në praktikë, për të përforcuar bazën ligjore.

Këtë vit në Kuvend u mbajt edhe Seanca e parë plenare për avancimin e barazisë gjinore e cila besoj se do të shndërrohet në tradicionale. Me të e shënuam një jubile jashtëzakonisht të rëndësishëm, 20 vjetorin e themelimit dhe funksionimit të Klubit të Deputeteve. Si dhomë ligjvënëse dhe me angazhimin pa rezervë të deputeteve të gjitha përbërjeve parlamentare, kemi miratuar ndryshime ligjore jashtëzakonisht të rëndësishme të cilat shkonin në drejtim të barazimit, përmirësimit, mbrojtjes, avancimit dhe vlerësimit të statusit dhe kontributit të gruas si anëtare e barabartë e bashkësisë shoqërore. Janë miratuar disa Strategji nacionale me të cilat bëhet përpjekje të mbulohen të gjitha sferat ku ndjehet pabarazia, diskriminimi, ekskluziviteti i burrave kundrejt grave dhe këto përpjekje vazhdojnë gjithsesi edhe me risinë më të fundit, mundet edhe më të rëndësishmen, dhe ky është buxhetimi gjinor senzitiv. Është miratuar edhe Plani i dytë i aktiviteteve për avancimin e senzitivitetit gjinor për vitin 2022-2023 dhe janë bërë ndryshime të sistematizimit me formimin e pozicionit këshilltar për çështje gjinore. Në proces janë edhe aktivitetet në drejtim të ndryshimit të Rregullores për punë të Kuvendit në të cilin, jam i bindur duke e pasur parasysh konstruktivitetin e të gjithë kolegëve anëtarë të Grupit të punës, se edhe qasja ndaj aspektit gjinor do të shqyrtohet dhe pësojë ndryshim. Unë besoj se duke e marrë parasysh përkushtimin serioz edhe të gjitha kolegeve të pranishme këtu, mirëpo edhe të organizatave ndërkombëtare partnere dhe angazhimit të tyre të gjithanshëm, do të kemi zgjidhje me të cilat do e tejkalojmë një pjesë të situatave reale në fushën e senzitivitetit gjinor në dhomën ligjvënëse. Plani gjithsesi jep një bazë të mirë. Nevojitet promovimi i mëtejshëm i diversiteteve në punën e Kuvendit si vend pune, mandej edhe në ligjet që i miraton Kuvendi. Me rëndësi të jashtëzakonshme është rritja e mbështetjes nga kolegët deputetë për çështjet e gjinisë dhe diversiteteve. Me ç’rast, nuk mendoj vetëm për një rritje numerike, mendoj për një kontribut cilësor dhe angazhim konkret për të pasur një parlament me të vërtetë bashkëkohor dhe senzitiv gjinor. Dhe i tillë, sipas përkufizimit të Unionit Ndër-Parlamentar është ai parlament i cili i plotëson nevojat dhe interesat edhe të burrave, edhe të grave në kuadër të përbërjes, strukturës, procedurave dhe metodave të veta për punë. I mënjanon pengesat, qofshin ato strukturore, thelbësore apo kulturologjike, për pjesëmarrjen e plotë të grave dhe jep një shembull pozitiv për shoqërinë në drejtim të barazisë gjinore dhe inkurajimit të grave në nivelin nacional dhe ndërkombëtar. Ky nuk është vetëm vendi ku gratë mund të punojnë por edhe vendi ku ato duan të punojnë. Ka dallim shumë të madh ndërmjet këtyre dy nocioneve, sepse kur puna është kënaqësi, atëherë kemi rezultate më të mira, respektivisht, parlament më efikas, më efektiv dhe më legjitim, të punësuar  të kënaqur, rrjedhimisht, edhe familje të lumtura.

Të nderuar të pranishëm,

Duhet të orientohemi drejt ndërtimit të një mekanizmi solid dhe të qëndrueshëm për vlerësimin e ndikimeve nga propozim ligjet mbi gjininë dhe diversitetet, në përmirësimin e mekanizmave për pjesëmarrjen përfshirëse të publikut dhe sigurimin e resurseve të trupave ekzistues në fushëveprimin e të cilëve është kryerja e një vlerësimi të atillë. Përbërja e trupave punues të reflektojë përbërjen e Kuvendit, ndërsa Kodi për sjelljen etike të deputetëve, Ligji për mbrojtjen nga shqetësimi në vendin e punës dhe Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi të zbatohen në mënyrë konsekuente gjatë procedimit sipas kundërshtimeve. Për këtë nevojitet mbikëqyrje e përforcuar mbi implementimin e dispozitave ligjore dhe ndërtimi i vetëdijes së lartë te zbatuesit e dispozitave se kjo është në favor të gjithë qytetarëve, e jo vetëm të grave në shoqëri.

Ju uroj punë të suksesshme të Konferencës dhe Ju falënderoj për vëmendjen.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…