Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi ka uruar qytetarët me rastin e përvjetorit të 22-të të Marrëveshjes paqësore të Ohrit.
Në urimin e tij në faqen zyrtare në Facebook, Grubi shkruan se mbi skepticizmin triumfoi vullneti për të ndërtuar bashkarisht të ardhmen, si dhe guximi i liderëve politik të vitit 2001 duhet të shërbejë si shembull edhe në mundësinë e rrugëtimit europian të vendit.
Urimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Nënshkrimi i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit para 22 viteve hapi një kapitull të ri zhvillimi për vendin duke vendosur themelet e paqes dhe kohezionit të brendshëm, barazisë dhe demokracisë konsensuale.
Mbi skepticizmin, majorizimin, tendencat e vazhdueshme të devalvimit të qëllimeve të saj paqësore, triumfoi vullneti i palëkundur për të thyer barrierat e paragjykimit dhe diskriminimit, për të ndërtuar bashkë të ardhmen mbi respektin e vlerave identitare të njëri – tjetrit.
Impakti që pati ky akt paqësor në ecurinë zhvillimore të vendit gjatë dy dekadave që lamë pas janë të pakontestueshme dhe qartësisht të dukshme në aspekt të konsolidimit të brendshëm demokratik, integrimit në NATO dhe perspektivës europiane të vendit, të arritura rreth të cilave kjo marrëveshje na bëri bashkë.
Guximi i liderëve të vitit 2001 për të marrë vendime të vështira por vizionare duhet të na shërbejë si shembull edhe sot për ta vazhduar rrugëtimin europian të vendit.
Gëzuar përvjetorin e 22-të të Marrëveshjes së Ohrit!
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FArtanGrubi%2Fposts%2Fpfbid02UbnSQMehPzPRfRSBksVndR5Hq1KTZ3PDYDpJJ2kK42QapMYfP1KxuBQzrmSMWSxDl&show_text=true&width=500