Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot ka pritur në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melani Zholi, e cila ndodhet për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut.
Bashkëbiseduesit shqyrtuan mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe me theks në bashkëpunimin ekonomik, marrëdhëniet e biznesit dhe shkëmbimin tregtar, ndërsa përshëndetën rolin dhe kontributin e rëndësishëm të diasporës sonë në Kanada në këtë kontekst. Njëherazi, Osmani e informoi Zholin për dosjen europiane të Maqedonisë së Veriut, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme kanadeze për procesin tonë të integrimit europian. “Kemi pasur takim vërtet produktiv ku kemi hapur çështje të rëndësishme për marrëdhëniet tona dypalëshe, të cilat disa vite më parë i kemi ngritur në nivelin e një partneriteti strategjik. E vlerësojmë veçanërisht këtë vizitë, e cila vjen në një moment vendimtar për të ardhmen europiane të vendit. Kanadaja, si mik dhe partner i sinqertë, e mbështet fuqimisht perspektivën tonë europiane dhe anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian dhe dua t’ju falënderoj publikisht për mbështetjen e përgjithshme kanadeze për proceset reformuese, për rrugën tonë të integrimit europian, e cila u riafirmua edhe në bisedimet e sotme”, tha Osmani. Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer në nivel shumëpalësh, si dhe për aktivitetet në kuadër të kryesimit tonë me OSBE-në. Njëherit, u shkëmbyen mendime për aleancën brenda NATO-s, me fokus mbështetjen e fortë për Ukrainën, si dhe përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.“Kontribuojmë së bashku në forcimin e Krahut Lindor të NATO-s dhe këtu do të doja ta theksoja pjesëmarrjen e ushtarëve tanë në Prezencën e Përparuar të Përforcuar në Letoni, si pjesë e kontigjentit slloven, ku Kanadaja është komb kornizë. Një bashkëpunim i tillë në grupet luftarake multinacionale flet për kontributin tonë aktiv në ruajtjen e sigurisë së përgjithshme transatlantike, sot kur të gjitha vendet anëtare të NATO-s përballen me sfidat e agresionit ushtarak rus.” – tha Osmani.