Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot realizoi vizitë zyrtare në Republikën e Finlandës, me ftesë të Ministres së Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen. Në takim të dy ministrat shprehën përkushtimin e ndërsjellë për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, të cilat këtë vit po shënojnë 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
“Në arkitekturën e sotme të rrënuar të sigurisë, jemi të vetëdijshëm për sfidat e ndryshme me të cilat ballafaqohemi dhe vetëm duke punuar bashkërisht ato sfida mund t’i tejkalojmë, e OSBE-ja është një segment i rëndësishëm në këtë drejtim”, tha MPJ Osmani në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së.
Duke e uruar Finlandën për kryesimin me OSBE-në në vitin 2025, theksoi se prioriteti dhe interesi i përbashkët i të gjitha vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së është arritja e konsensusit rreth zgjedhjes së kryesuesit për vitin 2024.
Ministri Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme nga Helsinki për procesin tonë të anëtarësimit në BE dhe theksoi nevojën e ndryshimit të qasjes sipas konceptit “Më shumë integrim para anëtarësimit në BE”.
Duke e përshëndetur anëtarësimin e Finlandës si anëtarja e 31-të e NATO-s, Osmani përsëriti se ne mbetemi të përkushtuar në ruajtjen e marrëdhënieve të forta të partneritetit.
“Duke u anëtarësuar në Aleancë, Finlanda kontribuon në mbrojtjen e stabilitetit dhe sigurisë në kontinentin evropian” shtoi Osmani.
Ministrja Valtonen e rikonfirmoi mbështetjen finlandeze për procesin e integrimit evropian të vendit tonë dhe pranoi se Maqedonia e Veriut ka arritur një shkallë të lartë të përmbushjes së agjendës së reformave evropiane.
“Finlanda, prej kohësh ka një interes të fortë në Ballkanin Perëndimor dhe i mbështet partnerët e saj nga Ballkani Perëndimor në përmbushjen e aspiratave të tyre për integrim evropian. Zgjerimi është një politikë e rëndësishme afatgjate e Unionit dhe integrimi evropian është një prioritet i lartë” – theksoi Ministrja finlandeze.
Në kuadër të vizitës, ministri Osmani realizoi takim me Kryetarin e Kuvendit të Finlandës, Jussi Kristian Halla-aho, me të cilin shkëmbyen mendime mbi agjendën tonë evropiane, kryesimin e OSBE-së me fokus në funksionalitetin, si dhe avancimin e bashkëpunimit parlamentar.