Xhaferi takon presidentin slloven Pahor

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Presidentin e Republikës së Sllovenisë, SH.T. Borut Pahor.Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për realizimin e takimit të sotëm me burrështetas i cili vjen prej një vendi mik dhe promotor i integrimeve tona euroatlantike. Intensiteti i takimeve bilaterale në të gjitha nivelet është vetëm edhe një konfirmim për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale të cilat ndërtohen dhe kultivohen me vite. Ai drejtoi falënderim për mbështetjen në momentet kyçe të historisë sonë më të re, a sidomos në kohë të krizave kur Sllovenia e ofroi ndihmën e saj me dërgimin e ekipeve në kufirin tonë jugor për menaxhimin e krizës refugjate dhe aktualisht, me ekipin mjekësor dhe pajisjen mbrojtëse për menaxhimin e pandemisë të Kovid – 19.  Kryetari Xhaferi e përshëndeti nismën e Pahor të procesit Bërdo-Brioni dhe vizionin për stabilizimin e rajonit nëpërmjet bashkëpunimit rajonal, si hap para integrimit të tij në Bashkimin Evropian, si edhe për letrën e drejtuar nga ana e z. Pahor në mars të këtij viti për Kryetarin e Këshillit Evropian, z. Sharll Mishell, me kërkesë për fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë. Si vend anëtar i 30-të i NATO-s dhe vend i cili pret fillimin formal të negociatave me BE-në, vendi dhe institucionet e saj janë të përgatitura që të përgjigjen në mënyrë përkatëse në pajtim me obligimet e ndërmarra me Marrëveshjen, përfundoi Xhaferi.Presidenti Pahor shprehu mirënjohje shumë të madhe për mundësinë për këmbim të  mendimeve dhe për fjalë para deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si shprehje e miqësisë dhe ndërtimit të aleancave, veçanërisht në kohëra të vështira dhe të paparashikueshme. Ai e përshëndeti mençurinë shtetërore të Qeverisë paraprake dhe shumicës parlamentare për tejkalimin e çështjeve të ndjeshme dhe të rënda bilaterale me fqinjët. Njëherazi, i uroi sukses Kryetarit Xhaferi gjatë mandatit dhe në marrjen e vendimeve të ardhshme strategjike për të cilat, siç tha, do të nevojitet bashkim më i madh shoqëror.  “Republika e Sllovenisë do të vazhdojë t’ju mbështesë në rrugën e anëtarësimit të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian dhe në atë rrugë, nuk duhet të ekzistojnë kushtëzime të padrejta të cilat do e pengojnë procesin,” përfundoi Pahor.

Related posts

Ali Ahmeti nga Zvicra: Të hiqen kufinjtë midis nesh siç i hoqi Europa dhe të bëhemi bashkë në BE

Salla përplot në Cyrih të Zvicrës mirëpriti liderin e shqiptarëve, Ali Ahmeti, i cili u rikthye në Zvicër pas 12 viteve. Lideri…

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…