Besimi: Normë interesi më e ulët për euroobligacionin nga më shumë vende evropiane me rejting kreditor më të lartë

Norma e interesit për euroobligacionin e tetë të vendit që u emetua këtë javë është më e ulët nga shumë vende që janë pjesë e Bashkimit Evropian ose që kanë rejting kreditor më të mirë se vendi, siç janë Kroacia, Turqia dhe Serbia. Megjithatë, investitorët kishin më shumë besim në ekonominë tonë dhe perspektivat e saj dhe arritëm normën më të ulët historike të interesit prej 1.625%, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi gjatë intervistës i ftuar në emisionin “Top tema”.– Kemi arritur normë historikisht më të ulët të interesit prej 1.625% për euroobligacionin e tetë, disa herë më e ulët në raport me obligacionet e emetuara paraprake, por edhe më e ulët se shumë vende që kanë rejting kreditor më të lartë se vendi ynë. Për shembull, javën e kaluar Kroacia emetoi dy euroobligacione me vlerë nga një miliardë euro secila, njëra me normë interesi 1.75% dhe tjetra 1.125%. Përveç kësaj, javën e kaluar, Serbia hyri në tregun ndërkombëtar të kapitalit me një euroobligacion prej një miliardë euro dhe arriti normë interesi prej 1.65%. Euroobligacionet e emetuara nga Turqia në mes të muajit janar të këtij viti, me nga 1.75 miliardë euro, kishin norma interesi prej 4.75% dhe 5.875%. Në dhjetor të vitit të kaluar, Ukraina emetoi ​​euroobligacion prej 600 milionë euro me normë interesi prej 7.253%. Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Mali i Zi emetoi euroobligacion në vlerë prej 750 milionë euro me normë interesi prej 7.253%. Përveç kësaj, në fund të nëntorit, Rumania emetoi ​​dy euroobligacione në vlerë prej një miliardë e gjysëm euro me normë interesi prej 2.625 dhe një miliardë euro me normë interesi prej 1.375%. Turqia në nëntor të vitit të kaluar ​​gjithashtu emetoi euroobligacion në vlerë prej 2.3 miliardë euro me normë interesi prej 5.95% dhe Serbia prej 2 miliardë euro me normë interesi prej 2.125%”, tha Besimi.Besimi theksoi se me mjetet e siguruara nga ky euroobligacion do të rifinancohet euroobligacioni i vitit 2014, që kishte normë interesi prej 3.975% si dhe se në bazë të normës së ulët të interesit të euroobligacionit të ri, do të kursehen 82.25 milionë euro.Ministri i Financave vuri në dukje se rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, gjatë kohës së krizës së covid-it është realitet për pothuajse të gjitha ekonomitë botërore, duke përfshirë edhe vendin tone. Ai tha se ekonomi të tilla si Spanja, Italia dhe Greqia vitin e kaluar e rritën borxhin shtetëror me më mbi 20 pikë përqindje. Ministri i Financave thotë se tani politikat pas krizës do të kenë rëndësi të madhe në drejtim të stabilizimit dhe revitalizimit të ekonomisë, duke përfshirë edhe stabilizimin e borxhit publik.– Tek borxhi publik më e rëndësishme është qëllimi për të cilin i marrim mjetet dhe se a do të jemi në gjendje në të ardhmen ta servisojmë këtë borxh. Jo rastësisht në Buxhetin e vitit 2021, bëmë planifikim afatmesëm. Korniza afatmesme është deri në vitin 2025 dhe bazohet në tre komponentë: plani i rritjes – si të rritet dhe përshpejtohet rritja në 5.9% në vitin 2025, komponenti i dytë është konsolidimi i buxhetit dhe komponenti i tretë është plani i investimeve publike prej 3.2 miliardë euro. Me konsolidimin fiskal në mënyrë graduale bëhet zvogëlimi i deficitit buxhetor dhe njëkohësisht i borxhit publik, ashtu që në vitin 2025 të zvogëlohet në 58.8% të BPV-së. Nga njëra anë, do të veprojmë që të rrisim të hyrat përmes përmirësimit të arkëtimit, përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve, gjegjësisht realizimin e shpenzimeve kapitale dhe në fund burime të reja të financimit të deficitit – tha ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Related posts

Takimi dypalësh midis ministrit Nuredini dhe homologut të tij grek Skrekas në Athinë

Gjatë vizitës së ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nasser Nuredini në Athinë, në kuadër të Forumit Ekonomik Delfhi, ai pati një takim dypalësh me homologun e tij…

Regjistri i popullsisë është baza pa të cilën digjitalizimi i administratës publike është i pamunudur

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Jeton Shaqiri përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë njoftimin lidhur me informacionin për “hardware-in”…

Shaqiri takim pune me nënkryetarin e BDI-së, z. Nevzat Bejta

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Jeton Shaqiri përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë njoftimin lidhur me takimin me nënkryetarin…