Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në Ohër pati paraqitje në hapjen solemne të konferencës së parë në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog. Si nikoqir i Konferencës, Osmani theksoi se fakti që qyteti i Ohrit është përzgjedhur si vendi ku mbahet kjo ngjarje, mbart simbolikë të dyfishtë. Në këtë qytet u nënshkrua Marrëveshja Kornizë historike e Ohrit, me ç’rast theksoi se e njëjta e vendosi kornizën për demokracinë tonë funksionale multietnike, me të cilën krenohemi dhe në njëfarë kuptimi, vendosi themelet dhe ua hapi rrugën dy marrëveshjeve pasuese që erdhën më vonë. Ministri Osmani, duke i vendosur në një sinergji Marrëveshjen e Ohrit, atë të Prespës dhe Marrëveshjen për miqësi me Bullgarinë, theksoi: “Derisa e para solli kohezion të brendshëm në vend, Marrëveshja e Prespës hapi kapitull të ri të miqësisë me fqinjët tanë, i dha fund dallimit pothuajse tridhjetëvjeçar, dhe këtu gjithsesi vjen edhe Marrëveshja për miqësi me Republikën e Bullgarisë. Këto janë tri kthesat e rrugës sonë drejt ndërtimit të një shteti modern, demokratik, Republikën e Maqedonisë së Veriut. Emëruesi i përbashkët i të tri marrëveshjeve është se të gjitha janë arritur nëpërmjet dialogut. Këto e prezantojnë rrëfimin tonë autentik dhe shërbejnë si frymëzim për themelimin e Forumit të Prespës për Dialog, si platformë për avancimin e pajtimit, ndërtimit të mirëbesimit dhe dialogut politik”. Osmani duke folur jo vetëm për marrëveshjet, por edhe për një nga synimet e themelimit të Forumit të Prespës për Dialog, theksoi se i njëjti paraqet mision, i quajtur “deballkanizim i rajonit dhe në këtë kontekst përfundoi: “Nga kjo perspektivë, rezultatet na japin të drejtën të konkludojmë se këta tre marrëveshje kanë vendosur itinerarin që na tregon se kah duhet të lëvizë Ballkani Perëndimor, me qëllim që të arrihen synimet strategjike për integrim në BE dhe anëtarësim në NATO dhe me këtë të na lirojnë nga barra e termit “Ballkanizimi”. Termi shpesh llogaritet si sinonim për ndarje, mospajtime dhe zënka, të imponuara nga gjeografia, si dhe rrethanat politike, por ne jemi të gatshëm të ndryshojmë këtë.