Osmani: Aleanca demonstroi unitet dhe e konfirmoi sigurinë e vendeve anëtare

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të NATO-s, në nivel të Ministrave të Jashtëm, që u mbajt në Bruksel. Takimi iu përkushtua situatës së sigurisë në Ukrainë, duke dënuar ashpër sulmin e paprovokuar ushtarak nga Rusia. Hapi i tillë i pajustifikuar është një akt i drejtpërdrejtë agresioni, një shkelje e fortë e së drejtës ndërkombëtare, si dhe një goditje e rëndë ndaj parimeve demokratike mbi të cilat bazohet rendi botëror i sigurisë. Në këtë drejtim, Ministrat e Jashtëm shprehën mbështetje të fortë për pavarësinë politike, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. “Sot kemi dërguar një mesazh të fortë për unitetin e Aleancës dhe angazhimin e përbashkët për ruajtjen e sigurisë euroatlantike. Ne jemi të bashkuar në dënimin e agresionit ushtarak rus dhe mesazhin për një ndërprerje të menjëhershme të veprimeve ushtarake, të cilat shkaktojnë humbje jetëve njerëzore dhe kanë pasoja të mëdha për ekonominë, paqen dhe prosperitetin e mbarë botës. Ne jemi të vendosur në mbështetjen tonë për Ukrainën dhe në solidaritet me popullin ukrainas, guximi dhe vendosmëria e të cilit për të gjetur një zgjidhje paqësore është e denjë për respekt”, theksoi Osmani. Në fjalën e tij, ministri Osmani informoi për sanksionet e vendosura dhe masat kufizuese të cilave u është bashkuar vendi si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus. Në të njëjtën kohë, ai theksoi ndihmën e dhënë për Ukrainën, si një shprehje shtesë e solidaritetit me qytetarët ukrainas. Gjithashtu, ministri Osmani nënvizoi rëndësinë e përshpejtimit të proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është veçanërisht e rëndësishme për stabilitetin rajonal. Qasja e konsoliduar e NATO-s dhe BE-së është mjeti më i mirë për tejkalimin e sfidave të sigurisë dhe ruajtjen e proceseve demokratike në rajonin tonë. “Kjo krizë ka treguar se zgjerimi i BE-së është në radhë të parë një politikë e sigurisë dhe prandaj BE-ja duhet të jetë proaktive në Ballkanin Perëndimor, të përshpejtojë zgjerimin e saj në interes të stabilitetit tonë të përbashkët dhe të mbyllë vakumin e ndërhyrjes”, përfundoi Osmani.

Related posts

BDI: Kush po e mbron Stoilkoviqin? Kuvendi duhet të nxjerrë të vërtetën.

Shkup, 23 shtator 2026 BDI – Konferencë për media Ilir Hasani – Deputet & Anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të…

BDI: Sonte në Tetovë takohen kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti dhe i ASh-së, z. Arben Taravari

Sonte në Tetovë po zhvillohet takimi ndërmjet kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), z. Ali Ahmeti, dhe kryetarit të Aleancës për…

Kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti: Të organizohet referendum popullor për verdiktin e popullit të Kosovës

Në një intervistë për Top News në Shqipëri, kryetari Ahmeti hodhi një tezë të rëndësishme lidhur me verdiktin e popullit të Kosovës…