Osmani: Aleanca demonstroi unitet dhe e konfirmoi sigurinë e vendeve anëtare

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të NATO-s, në nivel të Ministrave të Jashtëm, që u mbajt në Bruksel. Takimi iu përkushtua situatës së sigurisë në Ukrainë, duke dënuar ashpër sulmin e paprovokuar ushtarak nga Rusia. Hapi i tillë i pajustifikuar është një akt i drejtpërdrejtë agresioni, një shkelje e fortë e së drejtës ndërkombëtare, si dhe një goditje e rëndë ndaj parimeve demokratike mbi të cilat bazohet rendi botëror i sigurisë. Në këtë drejtim, Ministrat e Jashtëm shprehën mbështetje të fortë për pavarësinë politike, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. “Sot kemi dërguar një mesazh të fortë për unitetin e Aleancës dhe angazhimin e përbashkët për ruajtjen e sigurisë euroatlantike. Ne jemi të bashkuar në dënimin e agresionit ushtarak rus dhe mesazhin për një ndërprerje të menjëhershme të veprimeve ushtarake, të cilat shkaktojnë humbje jetëve njerëzore dhe kanë pasoja të mëdha për ekonominë, paqen dhe prosperitetin e mbarë botës. Ne jemi të vendosur në mbështetjen tonë për Ukrainën dhe në solidaritet me popullin ukrainas, guximi dhe vendosmëria e të cilit për të gjetur një zgjidhje paqësore është e denjë për respekt”, theksoi Osmani. Në fjalën e tij, ministri Osmani informoi për sanksionet e vendosura dhe masat kufizuese të cilave u është bashkuar vendi si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus. Në të njëjtën kohë, ai theksoi ndihmën e dhënë për Ukrainën, si një shprehje shtesë e solidaritetit me qytetarët ukrainas. Gjithashtu, ministri Osmani nënvizoi rëndësinë e përshpejtimit të proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është veçanërisht e rëndësishme për stabilitetin rajonal. Qasja e konsoliduar e NATO-s dhe BE-së është mjeti më i mirë për tejkalimin e sfidave të sigurisë dhe ruajtjen e proceseve demokratike në rajonin tonë. “Kjo krizë ka treguar se zgjerimi i BE-së është në radhë të parë një politikë e sigurisë dhe prandaj BE-ja duhet të jetë proaktive në Ballkanin Perëndimor, të përshpejtojë zgjerimin e saj në interes të stabilitetit tonë të përbashkët dhe të mbyllë vakumin e ndërhyrjes”, përfundoi Osmani.

Related posts

Kryetari Ahmeti priti ambasadorin e Austrisë, Sh.T.Z. Martin Pammer në selinë e BDI-së

Tetovë, 22 korrik 2026 Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, priti në takim Ambasadorin e Austrisë në Republikën e Maqedonisë…

BDI: Shkelja e Rregullores cënon legjitimitetin e procesit ligjvënës

Shkup, 20 korrik 2026 BDI – Konferencë për media Arbana Pasholli – Deputete & Nënkryetare e BDI-së https://www.facebook.com/share/v/18xuxidQtt/?mibextid=wwXIfr

Dega Likovë mbajti Kuvendin Zgjedhor

Likovë, 19 korrik 2026 Sonte u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Degës së BDI-së në Likovë, në praninë e Kryetarit të BDI-së, Ali…