Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini prezantoi politikat kombëtare në fushën e mjedisit jetësor me një fjalim të veçantë para audiencës ndërkombëtare në kuadër të Forumit Ekonomik Delfi, i cili filloi sot në Greqi.
Në fjalimin e tij Nuredini dha një pasqyrë të ndryshimeve klimatike si një sfidë më e rëndësishme globale dhe përgjigjen e Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim, hapat e ndërmarrë nga Qeveria për reduktimin e gazrave serrë, ndotjen e ajrit dhe menaxhimi i mbeturinave si fusha prioritare.
Nuredini gjithashtu theksoi mundësitë për shfrytëzimin e tranzicionit në një model të qëndrueshëm ekonomik si shtytës i zhvillimit ekonomik dhe nevojën për bashkëpunim rajonal dhe qasje strategjike në përmbushjen e synimeve të Agjendës së Gjelbër.
Forumi Delfi është një konferencë vjetore ndërkombëtare e cila mbahet në qytetin Delfi të Greqisë, dhe që mbledh së bashku liderë botërore nga të gjithë sektorët në përpjekje për të nxitur dialogje, për të frymëzuar ndryshimet dhe për ta shndërruar bisedën në veprim.
Në margjinat e forumit, ministri realizoi takim me ish-kryeministrin e Republikës së Greqisë, George Papandreou, me z. George Kremlis, Këshilltarë i pare i kryeministrit grek për Energjinë, Klimën, Mjedisin Jetësor dhe Ekonominë Qarkore dhe drejtorin e Institutit EPLO (Organizata Evropiane e së Drejtës Publike) për Zhvillim të Qëndrueshëm, Spyros Kouvelis.
– Qasja rajonale në zbatimin e mbrojtjes së mjedisit jetësor, garantimi i sigurisë energjetike dhe veprimi klimatik janë të nevojshme për të arritur objektivat e parapara në kohën më të shkurtër të mundëshme. Bashkëpunimi me fqinjët dhe partnerët tane është mënyra më e lehtë për një transformim të drejtë dhe të suksesshëm të gjelbër – tha ministri Nuredini.