Rеpublika e Maqedonisë së Veriut nuk tërhiqet nga zbatimi i reformave që do të rezultojë me integrim të plotë në BE, të cilat tani bëhen me dinamikë të përshpejtuar me hapjen e procesit të negociatave. Së bashku me KE-në përcaktohen prioritetet në Programin e reformave ekonomike.
Reformat që janë përcaktuar si prioritete në Programin e reformave ekonomike 2022-2024 ishin sot temë e takimit të ministrit të Financave, Fatmir Besimi me eurokomesarin për Ekonomi, Paolo Gentiloni në Bruksel.
Fushat kryesore, që identifikohen në këtë program, i referohen përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor, konkurrencës së kompanive vendase dhe kyçjes së tyre në zinxhirët globalë të vlerës, formalizimit të ekonomisë joformale dhe tranzicionit të gjelbër. Fushat e identifikuara në PRE, përkojnë me fushat e theksuara në Raportin e KE-së, ndërsa pikësynimi është sigurimi në mënyrë të qëndrueshme dhe inkluzive i rritjes ekonomike në periudhë afatmesme.
Programi i reformave ekonomike përfshin politika dhe indikatorë makroekonomikë dhe fiskalë, reforma strukturore dhe masa për përmirësimin e konkurrencës së vendit dhe uljen e papunësisë. Programi përgatitet çdo vit dhe me të bëhet harmonizimi paraaderues i politikave ekonomike me BE-në.
Ministri theksoi se krahas të gjitha sfidave, viti 2022 do të mbahet mend si viti i një kthese në procesin tonë të anëtarësimit në BE. Me miratimin e Kornizës së negociatave, mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare dhe hapjen e procesit të skriningut, hapet rruga për fazat e ardhshme të procesit. Në këtë proces, Ministria e Financave është istitucioni udhëheqës për 8 kapituj dhë është e përfshirë në 4 klastere prej gjithsej 6 klastereve.
Në këtë takim u diskutua edhe për ndikimin e krizës energjetike dhe të çmimeve në ekonominë vendase dhe masat që ka ndërmarrë vendi për mbrojtjen e standardit të popullsisë dhe ekonomisë.
Gjithashtu, ministri Besimi thekson se përkrahja për zbatimin e këtyre politikave është sinjifikative edhe nga BE-ja përmes Asistencës makrofinanciare (AMF) të KE-së, instrument për përkrahje makrofinanciare për masat lidhur me përballimin e goditjeve eksterne, që vendi i ka shfrytëzuar edhe gjatë krizës së Covid-it.
Eurokomesari Paolo Gentiloni shprehu përkushtimin dhe përkrahjen për vazhdimin e aktiviteteve në drejtim të aprovimit të instrumentit të AMF-së, si rezultat i politikave të suksesshme të udhëhequra nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.