Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti ka pritur sonte në darkë pune në Tetovë ambasadorin e Republikës së Francës, z. Siril Bomgartner.
Kryetari Ahmeti dhe ambasadori Bomgartner kanë vlerësuar lartë procesin eurointegrues që Republika e Maqedonisë së Veriut e ka nisur me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare pas hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe që vazhdon tashmë me procesin e skriningut.
Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për ndryshimet kushtetuese dhe nevojën e përfundimit të këtij procesi si kusht për të vazhduar rrugën europiane që Republika e Maqedonisë së Veriut e ka nisur, ndërkohë që bashkëpunimi mes partive politike në vend është më se i duhur pasiqë vendi gjendet në një moment kyç për të ecur përpara.
Kryetari Ahmeti mes tjerave ka theksuar se ishte Propozimi francez i Presidentit Macron që vendosi në binarë procesin e integrimit të vendit dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të vazhdojë edhe më tej duke mos lënë anësh mbështetjen e Francës deri në finalizimin e procesit të integrimit në BE.
Ambasadori Bomgartner shprehu mbështetjen e plotë të Francës për integrimin europian të vendit tonë.
Kryetari Ahmeti theksoi bindjen që të gjithë forcat pro europiane në vendin tonë do të mobilizohen për të vijuar rrugën integruese dhe nuk do të lejojnë ndikime destruktive dhe regresive në realizimin e synimeve të qytetarëve.