Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot zhvilloi takim pune me kompanitë e industrisë ushqimore dhe tregtisë. Në takim mori pjesë edhe drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Tregut Aneta Dimovska Simeska. Në takim u diskutuan masat dhe pritjet e Qeverisë për çmimet e produkteve ushqimore bazë, me të cilën ministri Bekteshi i informoi edhe për Ligjin e ri për Mbrojtjen e Konsumatorit që ka hyrë në fuqi në fillim të kësaj jave.
Pas takimit, ministri Bekteshi tha se sipas bisedimeve me kompanitë, pritshmëritë janë që nga fillimi i dhjetorit të ketë ulje të çmimit të produkteve ushqimore bazë nga pesë në 13 për qind, sipas masës së Qeverisë për një çmim fiks i energjisë elektrike për industrinë ushqimore.
Ministri Bekteshi në takim tha se Qeveria po shqyrton edhe masa të tjera me qëllim të stabilizimit të tregut dhe uljes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë.
“Ajo që ishte barra më e madhe për kompanitë është zgjidhur. Për këtë arsye ne në vazhdimësi mbajmë takime me prodhuesit e produkteve ushqimore bazë. Ata mund të paraqesin propozimet e tyre dhe kjo, me kërkesën time, duhet të ndodhë javën e ardhshme. Aty ku ka mundësi do të intervenojnë institucionet kompetente. Por sipas të gjitha projeksioneve dhe analizave pres një ulje të tillë pothuajse në çdo produkt të shënuar në Vendim. Mund të ndodhë që të ketë rritje të çmimit të lëndëve të para të importuara, por sigurisht që ka mekanizma për të reaguar dhe nëse ky është problemi për ulje shtesë të çmimeve, ne jemi gati ta bëjmë edhe këtë, por së pari duam të shohim se ka një vullnet që kriza të mos jetë barrë e qytetarëve”, tha ministri Bekteshi.
Në takim, prodhuesit, siç tha Bekteshi, janë njoftuar edhe se janë duke u bërë analiza për masat shtesë që duhet të merren deri në fund të vitit.
“Si Ministri e Ekonomisë, i njoftuam prodhuesit se janë bërë analiza shtesë për masa shtesë që duhet të merren deri në fund të vitit dhe presim që të veprojnë në përputhje me pritjet e qytetarëve dhe mundësinë që të bëjnë gjithçka për të ulur çmimet e produkteve ushqimore në Vendim të ulen në kuadër të marzheve që ishin më parë dhe të mos abuzohet së paku me ato produkte, në një rast tjetër ne si Ministri e Ekonomisë kemi përgatitur vendimet e radhës që do të pasonin dhe kjo sigurisht do të thotë se do të kërkojmë burime të tjera furnizimi”, tha ministri Bekteshi.
Ministri tha se tashmë ka filluar trendi i uljes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë.
“Tashmë ka filluar trendi i uljes së çmimeve të disa produkteve, veçanërisht bukës, qumështit, produkteve të qumështit dhe disa produkteve të mishit. Një prodhues i caktuar qumështi para 4-5 ditësh kishte çmim mbi 80 denarë, ndërsa sot çmimi është 76 dhe me shumë mundësi nga 1 dhjetori do të ketë ulje të mëtejshme. Disa prodhues të bukës kanë çmime mbi 40 denarë, ndërsa sot variojnë nga 36 deri në 38 denarë. Dhe atje presim një ulje të mëtejshme. E njëjta gjë vlen edhe për produktet e mishit. Sipas të gjitha përllogaritjeve, në ditët në vijim do të ketë ulje të mëtejshme, duke pasur parasysh se të gjitha procedurat në shitjet e EMV për lidhjen e kontratave me kompanitë prodhuese të produkteve bazë ushqimore po përfundojnë”, potencoi ministri Bekteshi.
Drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Tregut tha se inspektorët janë në terren dhe po bëjnë kontrolle, sidomos pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe bëri të ditur se në periudhën në vijim do të mbahen takime shtesë së bashku me tregtarët me qëllim të saktësohen dispozitat e ligjit përmes rregulloreve që duhet të miratohen shtesë në periudhën e ardhshme.