BDI: Agjenda e blertë garancë për zhvillimin e mëtutjeshëm të Shkupit

Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar sot prezantimin e programeve zgjedhore, kësaj rradhe të programit për Qytetin e Shkupit, me të cilin do të merr pjesë në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit.   Ardijan Muça, bartës i listës së kandidatëve të BDI-së për Këshillin e Qytetit të Shkupit  theksoi se agjenda e blertë është baza e planifikimit veprues për katër vitet e mandatit të ardhshëm, me të cilat do të vazhdohet realizimi sistematik i prioriteteve të jetës cilësore, si përmirësimi i infrastrukturës rrugore, lidhja më efikase ndërkomunale,  stimulimi i përdorimit të biçikletave, trotinetëve dhe inverterëve për ajër më të pastër, krijimi i shtigjeve të reja për biçikleta, mirëmbajtja e pastërtisë publike, gjelbërimi masiv dhe të tjera.   Muça ftoi qytetarët e Shkupit që më 17 Tetor të rrethojnë numrin 3 dhe të përkrahin listën e këshilltarëve të BDI-së për vazhdimësinë e punëve të mira dhe perspektivën më të madhe të zhvillimit. Ndryshe, BDI sot do të realizojë takime me qytetarët në komunën e Butelit dhe Shuto Orizares për të prezantuar listat e kandidatëve për këshilltarë dhe programet zgjedhore.   Ju sjellim fjalimin e plotë të konferencës së sotme për shtyp:   Të nderuar qytetarë, Të nderuar përfaqësues të mediave,   Sot prezantojmë para jush programin zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim në Qytetin e Shkupit, i cili i bazuar në agjendën e blertë është zotimi i kandidatëve tanë për këshilltarë në Këshillin e Qytetit të Shkupit.   Bashkimi Demokratik për Integrim në Këshillin e Qytetit të Shkupit ka pasur gjithmonë kuadër cilësor që ka ditur të avancojë proceset e përfaqësimit adekuat, të kontribuojë për realizimin e projekteve të jetës cilësore dhe të përfaqësojë denjësisht zërin e kërkesave të qytetarëve.   Para se të flasim për projektet që bashkë me grupin e këshilltarëve të BDI-së i kemi planifikuar në mandatin e ardhshëm, më lejoni në pika të shkurtra të përmendim ato që, si qeverisje në Çair, Saraj e Shuto Orizare dhe bashkëqeverisje në Qytetin e Shkupit, arritëm ti përfundojmë.   Kemi miratuar mijëra subvencione që kanë lehtësuar jetën e shkupjanëve. Katër vite me radhë janë ndarë subvencione për inverterë, për biçikleta, trotinetë, kemi mbështetur financiarisht shoqata të shumta arsimore e kulturore, ndërkohë që arsimi sot zhvillohet në kushte moderne.   Arritëm të ndryshojmë emrat e rrugëve që nuk reflektojnë realitetin e parimeve të barazisë dhe bashkëjetesës. U ndryshuan mbi 100 emra të rrugëve, urave dhe shesheve në Shkup, të cilat sot mbajnë emrat e personaliteteve të shquara dhe ngjarjeve të rëndësishme të historisë dhe kulturës sonë.   Sot – Hasan Prishtina, përveç përmendores, ka edhe emër rruge.   Në bashkëpunim me pushtetin qendror, Çairi, Buteli, Saraji tashmë kanë nga disa salla sporti, ndërsa Çarshia e Shkupit ka kthyer shkëlqimin e dikurshëm. Bit Pazari ka marrë pamjen e një tregu modern, ndërsa Çairin me Butelin e lidhëm me bulevardin e ri Bosnja dhe Hercegovina të rregulluar sipas të gjitha standardeve bashkëkohore. Grupi i këshilltarëve të BDI-së ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në projektet e rregullimit të infrastrukturës rrugore për të lehtësuar lidhjen ndërkomunale dhe qarkullimin e lehtësuar të qytetarëve.   Në Butel kemi gjelbëruar dy bulevardet me mbi 1500 drunj, derisa në Çair mbi 65 mijë metra katrorë kemi ndërtuar parqe.   Në Shuto Orizare filluam rekonstruimin e rrugës pas burgut, asfaltuam rrugën përreth varrezave, po rekonstruojmë rrugën Indira Gandi dhe disa rrugë tjera në Vizbeg, si dhe rritëm nivelin e përfaqësimit në administratën e komunës dhe shkollat fillore.   Në mandatin e ardhshëm, planet për zhvillimin e Shkupit, e kryesisht të Çairit, Butelit, Sarajit dhe Shuto Orizares, janë të shumta dhe në vijë me aspiratën për të bërë më mirë dhe më shumë për Shkupin.   Planifikojmë zgjerimin e rrugës “Cvetan Dimov”, duke e shndërruar të njëjtin në Bulevard me 6 korsi, do të lidhim me urë moderne Vizbegun me Bulevardin “Sllovenia”, si dhe Lubeteni do të ketë rrjet të ri të kanalizimi fekal. Gjelbërimi i Qytetit do të vijojë në secilën lagje, ashtu si deri më tani.   Do të ndërtohen trotuare, si dhe shtigje të reja për biçikleta, ndërsa do të mirëmbahet ndriçimi edhe në rajonet rurale të territorit të Qytetit të Shkupit dhe komunave përreth.   Njëri ndër projektet me prioritet është edhe revidimi i planeve detale urbanistike me qëllim që investitorëve t’u lehtësohet investimi në territorin e Komunës Butel, por edhe në Çair e Shuto Orizare.   Do të japim kontributin tonë edhe për stimulimin e punësimeve në zonat industriale të komunave të  Shkupit, ndërsa sigurojmë se në fillim të mandatit, do të projektojmë ndërtimin e një kompleksi sportiv në partneritetit publiko-privat ku do të ketë terrene të ndryshme sportive për futboll, basketboll, hendboll, volejboll e të tjera sporte.   Të nderuar qytetarë, Më 17 Tetor votoni për agjendën e blertë, për vazhdimësinë e punëve të mira dhe perspektivën e re të zhvillimit!   Zgjidh jetë, voto blertë! Rrethoni numrin 3!

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…