BDI: Dy vite mashtrime, zero rezultate

Dy vite pas ardhjes në pushtet të koalicionit VMRO-VLEN-ZNAM, është bërë e qartë se pothuajse asnjë nga premtimet madhore me të cilat VLEN kërkoi votën e shqiptarëve nuk është realizuar. Ajo që u prezantua si një “epokë e re” për shqiptarët, sot rezulton të ketë qenë një katalog premtimesh boshe dhe një mashtrim elektoral i paprecedentë.

VLEN premtoi Kushtetutë të re që do ta definonte shtetin si të përbashkët dhe të barabartë për shqiptarët dhe maqedonasit. Dy vite më vonë nuk ka as iniciativë, as debat dhe as vullnet politik për ta hapur këtë çështje.

VLEN premtoi avancimin e statusit të gjuhës shqipe në nivel kushtetues. Në realitet, shqiptarët po përballen me regres. Në vend të forcimit të mekanizmave për mbrojtjen e gjuhës, Inspektorati i Gjuhëve u degradua dhe u shndërrua në një sektor brenda Ministrisë së Drejtësisë.

VLEN premtoi përfaqësim të drejtë dhe adekuat, por gjatë qeverisjes së tyre u shfuqizua Balancuesi, ndërsa ligji i ri jo vetëm që nuk garanton avancim, por ka ngritur shqetësime serioze për dobësimin e pozitës së shqiptarëve në institucionet shtetërore.

VLEN premtoi Bankë Shqiptare, shpërndarje aksionesh deri në 10.000 euro për çdo qytetar, votë të garantuar për diasporën, Ministri të Diasporës, Akademi Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, Muze të Historisë Shqiptare, gjashtë spitale rajonale, qindra terrene sportive, zona ekonomike shqiptare dhe projekte strategjike infrastrukturore që do të lidhnin shqiptarët në rajon.

Sot, asnjëra prej këtyre nuk ekziston.

VLEN premtoi hekurudhën Shkup-Prishtinë, rrugën Tetovë-Prizren, Portin e Thatë në Strugë dhe korridore të reja ekonomike. Asnjë prej tyre nuk ka hyrë në fazë realizimi.

VLEN premtoi mbështetje për të rinjtë, banesa me zero interes, paga për studentët cilësorë, reforma në arsim dhe harmonizim të programeve me Shqipërinë dhe Kosovën, Erasmus për Universitetet shqiptare, çerdhe për fëmijë pranë çdo shkolle fillore, ndihmë finansiare për prindërit. Edhe këto u harruan!

VLEN premtoi hapjen e dosjeve të komunizmit, dëmshpërblim për të përndjekurit politikë shqiptarë dhe përfshirje të ekspertëve perëndimorë në luftën kundër korrupsionit. Edhe këto mbetën vetëm slogane fushate.

Më e rëndësishmja, VLEN premtoi dinjitet dhe avancim kombëtar për shqiptarët. Në vend të kësaj, shqiptarët panë shfuqizimin e emërtimeve shqiptare të rrugëve në Tetovë, dobësimin e mekanizmave të mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe heshtje përballë goditjeve që po i bëhen të drejtave kolektive të shqiptarëve.

Pas dy vitesh, bilanci është brutal: premtime historike, rezultate- pothuaj se aspak!

Qytetarët shqiptarë meritojnë përgjigje. A ishin këto projekte reale qeverisëse apo thjesht premtime të fabrikuara për të siguruar vota?

Koha po dëshmon se VLEN nuk dështoi sepse nuk pati kohë. VLEN po dështon sepse premtimet e tyre nuk kishin as plan, as mbështetje dhe as vullnet për t’u realizuar.

Mashtrimi elektoral nuk mund të zgjasë pafundësisht. Shqiptarët po e shohin çdo ditë dallimin mes premtimeve të vitit 2024 dhe realitetit të vitit 2026!

Related posts

BDI: Skandal! Komuna e Tetovës dhe qeveria e lanë pa mbrojtje emërtimin shqip të rrugëve dhe shesheve në Tetovë

Arsyetimi i publikuar nga Gjykata Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe objekteve infrastrukturore në Komunën e Tetovës…

BDI: VLEN për dy vite po zhbën të arriturat 24-vjeçare të shqiptarëve

Bashkimi Demokratik për Integrim njofton opinionin e gjerë se dy vite nga formimi i qeverisë pa legjitimitet etnik te shqiptarët, po dëshmohet…

BDI: Osman Kadriu zbulon prapaskenat e vendimit për rikthimin e emërtimeve jugosllave në Tetovë

Deklarata e gjykatësit kushtetues Osman Kadriu pas vendimit për shfuqizimin e emërtimeve shqiptare të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve në Tetovë dhe rikthimin…