Deklarata e pasurisë së Nedim Ramës, drejtor i NOMAGAS-it dhe bashkëpunëtor i afërt i Izet Mexhitit, ka hapur një çështje shumë më serioze sesa ajo që ai tentoi ta mbyllë me dorëzimin e formularit në Antikorrupsion.
Rama ka deklaruar aksione në kompani të mëdha të huaja, mes tyre edhe në kompaninë gjermane Mercedes-Benz Group AG.
Por problemi kryesor është data.
Sipas vetë deklarimit të tij, këto pjesëmarrje janë fituar më 22 prill 2026, në kohën kur Nedim Rama tashmë ishte në krye të NOMAGAS-it.
Prandaj sot kërkojmë përgjigje konkrete:
Me çfarë parash Nedim Rama bleu aksione në kompani të huaja gjatë mandatit të tij si drejtor?
Sa ka investuar konkretisht në Mercedes-Benz Group AG?
Nga cila llogari janë transferuar mjetet?
Cili është burimi i kapitalit?
A janë deklaruar këto investime në afatin ligjor?
Dhe a ka investime të tjera jashtë vendit që ende nuk janë bërë publike?
Këto nuk janë pyetje private. Nedim Rama drejton NOMAGAS-in, një kompani shtetërore me rëndësi strategjike, dhe çdo rritje e konsiderueshme e pasurisë së një funksionari publik gjatë ushtrimit të mandatit duhet të jetë plotësisht e shpjegueshme.
Për këtë arsye kërkojmë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të verifikojë burimin e mjeteve, datën e blerjes, vlerën e investimeve dhe kohën e deklarimit të aksioneve të Nedim Ramës.
Nedim Rama duhet të dalë para opinionit dhe të tregojë nga erdhën paratë.
Sepse pyetja tani është shumë e thjeshtë:
Si arriti drejtori i NOMAGAS-it, gjatë mandatit të tij, të krijojë kapital për investime në Mercedes dhe kompani të tjera ndërkombëtare?

