Besimi – Gir: Përkrahja financiare prej 80 milionë eurove është konfirmim i përpjekjeve dhe agjendës reformuese

Reformat e zbatuara nga Qeveria dhe Ministria e Financave në financat publike janë në linjë me arritjen e progresit në integrimet evropiane. Me nisjen e negociatave dhe fillimin e procesit skrining, reformat zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar. Ministria e Financave tashmë është duke përgatitur planin aksional për zbatimin e rekomandimeve nga Raporti i fundit i Komisionit Evropian (KE), por po punohet edhe mbi zbatimin në praktikë të këtyre reformave që tashmë janë theksuar në Raportin e KE-së, siç është Ligji i Buxheteve.

Sot, në takimin e ministrit të Financave, Fatmir Besimi me ambasadorin evropian David Geer u konfirmuan përpjekjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ministri theksoi se konfirmimi i kësaj është edhe njoftimi lidhur me përkrahjen financiare prej 80 milionë eurove nga BE-ja për përballimin e krizës, si dhe vënia në dispozicion të 500 milionë eurove – pako investimesh për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Republika e Maqedonisë së Veriut nuk tërhiqet nga pikësynimet e përcaktuara, për të arritur një shoqëri më me prosperitet, rritje më të lartë ekonomike dhe integrim të plotë në Bashkimin Evropian. Në këtë rrugë, kemi përkrahje sinjifikative nga BE-ja, qoftë përkrahje finaciare ashtu edhe teknike. Në kuadër të Programit të reformave ekonomike, të cilin çdo vit e përgatisim së bashku me BE-në, përcaktohen masat dhe politikat që na përafrojnë me standardet evropiane. Aktualisht, po punohet lidhur me Programin e ri të reformave ekonomike, i cili duhet të miratohet nga Qeveria në muajin janar të vitit 2023. Mjetet e disponueshme nëpërmjet fondeve IPA kanë kontribut të rëndësishëm për realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore dhe energjetike”, tha ministri Besimi.

Ai theksoi se politikat e qëndrueshme ekonomike identifikohen edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, ku konfirmim është edhe përkrahja nga Fondi Monetar Ndërkombëtar përmes Programit për përkujdesje dhe likuiditet – PLL, mjete që do të shfrytëzohen për përballimin me pasojat e krizës energjetike dhe të çmimeve.

“Kjo është përkrahje e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila i ndjen pasojat e krizës energjetike dhe të çmimeve, që do të destinohen drejt përkrahjes së standardit të popullatës, likuiditetit të ekonomisë, si dhe stabilitetit në sigurimin e energjensave, sidomos së energjisë elektrike”, theksoi ministri, duke shtuar se “Qeveria tashmë ka miratuar dy pako të masave antikrizë, me vlerë prej 750 milionë eurove, me ç’rast nga fundi i vitit të kaluar ka siguruar përkrahje financiare për EMV-në për kosto më të ulëta të prodhimit të energjisë elektrike dhe çmim më të ulët për amvisëritë dhe për 70 mijë kompani që janë pjesë e tregut të rregulluar”, tha ministri.

Në këtë takim ministri theksoi se edhe përkundër rritjes së kostove për përballimin e krizës, vendi vazhdon të jetë i përkushtuar për stabilitet makroekonomik dhe konsolidim fiskal në periudhë afatmesme, për të ruajtur kushte të favorshme për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik.

Gjithashtu, në kuadër të reformave dhe masave të zbatuara në financat publike duhet të theksohet se u miratua Ligji i Buxheteve, i cili është reformë kyçe në procesin e buxhetimit dhe janë duke u përgatitur edhe aktet nënligjore për krijimin e Sistemit të Integruar Informativ – IFMIS, i cili do t’i dixhitalizojë proceset. Është miratuar Plani për qëndrueshmëri fiskale dhe Plani për rritje të përshpejtuar ekonomike. 

Related posts

Kryetari Ahmeti priti ambasadorin e Austrisë, Sh.T.Z. Martin Pammer në selinë e BDI-së

Tetovë, 22 korrik 2026 Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, priti në takim Ambasadorin e Austrisë në Republikën e Maqedonisë…

BDI: Shkelja e Rregullores cënon legjitimitetin e procesit ligjvënës

Shkup, 20 korrik 2026 BDI – Konferencë për media Arbana Pasholli – Deputete & Nënkryetare e BDI-së https://www.facebook.com/share/v/18xuxidQtt/?mibextid=wwXIfr

Dega Likovë mbajti Kuvendin Zgjedhor

Likovë, 19 korrik 2026 Sonte u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Degës së BDI-së në Likovë, në praninë e Kryetarit të BDI-së, Ali…