Anëtar i zgjedhur i Këshillit të Përgjithshëm
Besnik Ejupi

Besnik Ejupi ka lindur më 26.10.1984 në Shkup, Republikën e Maqedonisë së Veriut. Është jurist i diplomuar në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), ku gjithashtu ka përfunduar studimet master në drejtimin Public Health Management, duke ndërtuar një profil të kombinuar juridik dhe menaxherial në fushën e shëndetësisë publike.
Në aspektin profesional, që nga viti 2011 ushtron funksionin e Sekretarit në Klinikën Universitare për Reumatologji në Shkup, ku është i angazhuar në menaxhimin e proceseve administrative, koordinimin institucional dhe zhvillimin strategjik të institucionit.
Më herët, në periudhën 2006–2013, ka ushtruar funksionin e Sekretarit Gjeneral në Federatën e Mundjes së Maqedonisë, ku ka udhëhequr procese organizative në nivel kombëtar dhe ka koordinuar pjesëmarrjen e reprezentacionit në gara evropiane dhe botërore. Paralelisht, ka qenë i angazhuar edhe në Agjencinë për Rini dhe Sport, duke kontribuar në zhvillimin e politikave dhe aktiviteteve sportive në vend.
Në aspektin sportiv, Besnik Ejupi është kampion i shumëfishtë i Maqedonisë në mundje dhe pjesëmarrës në kampin olimpik rinor në Sydney në vitin 2000. Gjithashtu, ka udhëhequr delegacione sportive në shumë gara ndërkombëtare, duke përfaqësuar vendin në nivel evropian dhe botëror.
Në planin akademik dhe profesional ndërkombëtar, ka marrë pjesë në kongrese dhe konferenca të rëndësishme në fushën e menaxhimit të shëndetit publik, në qytete si Boston, Londër, Romë, Madrid dhe Paris, duke zgjeruar përvojën dhe perspektivën e tij në zhvillimet bashkëkohore të sektorit.
Përveç angazhimit profesional, është aktiv që nga themelimi në strukturat e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Ka ushtruar funksione të ndryshme partiake, duke filluar si Sekretar i Forumit Rinor në Çair, më pas si anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor në nivel nacional. Ka qenë i angazhuar në disa cikle zgjedhore si Shef Marketingu dhe PR, si dhe Shef i shtabit lokal. Aktualisht është anëtar i Degës së Çairit dhe i Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
