Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shprehu pikëllimin e tij për ndarjen nga jeta të Kongresmenit amerikan Eliot Engel, njërit prej miqve më të mëdhenj të shqiptarëve dhe një zëri të fuqishëm të lirisë së tyre në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ahmeti vlerësoi se për më shumë se tri dekada, Engel qëndroi pranë shqiptarëve, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset e rëndësishme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Shqipëri, Luginën e Preshevës, Mal të Zi dhe diasporë.
Ai theksoi se ka mësuar shumë nga takimet dhe bashkëbisedimet me Engel në Uashington, Shkup dhe Prishtinë, duke shtuar se shqiptarët ishin me fat që e patën pranë në momentet më të rëndësishme të historisë së tyre moderne. Sipas Ahmetit, Eliot Engel do të kujtohet ndër breza si një mik i jashtëzakonshëm i shqiptarëve, ndërsa mirënjohja për veprën dhe mbështetjen e tij do të mbetet e përhershme.
Ahmeti shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen Engel dhe të afërmit e tij.
Lamtumirë mik i madh i shqiptarëve, dhe faleminderit për gjithçka që bëre për ne.

