Osmani: Do t’i dëshmojmë Evropës se në Ballkan ka miqësi të mirëfilltë

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot realizoi takim me Ministrin në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakaj, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.Ministri Osmani shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm intensiv dhe të frytshëm bilateral me fqinjin dhe mikun tonë Shqipërinë, e cila tani është edhe aleat i ynë në NATO, si dhe partner i ngushtë në përpjekjet për integrimin tonë në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i thellojë marrëdhëniet e përgjithshme në të gjitha segmentet e bashkëpunimit të ndërsjellë.“Mbrëmë vonë erdha nga Athina, ku kisha takim me kolegun tim Dendias, ndërsa ja sot në takim bilateral në Maqedoninë e Veriut është kolegu im Cakaj nga Shqipëria. Më gëzon fakti që marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore mbeten prioritet i politikës së jashtme të rajonit, si përfitimi më i rëndësishëm për integrimin e gjithë Ballkanit në institucionet evropiane”, potencoi Osmani.Ministri Osmani shfrytëzoi rastin për ta përshëndetur angazhimin e Shqipërisë në kuadër të kryesimit të saj me OSBE-në, në kushte kur Evropa po ballafaqohet me kërcënime serioze të sigurisë së saj dhe me pasoja në rrjedhat demokratike.Ministri Cakaj, duke e uruar Ministrin Osmani për zgjedhjen në funksionin e tij të ri, dhe duke i dëshiruar sukses në kryerjen e detyrës me shumë përgjegjësi, e theksoi gatishmërinë e Shqipërisë për avancim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit të përgjithshëm, si dhe për intensifikim të bashkëpunimit midis Ministrive të Punëve të Jashtme të dy vendeve mike.Theksi i bisedimeve u vendos në prioritetet e të dy vendeve në arritjen e qëllimit të përbashkët strategjik për anëtarësim në BE , dhe në këtë drejtim, edhe të përpjekjeve për të filluar zyrtarisht negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti.U shkëmbyen mendime për bashkëpunimin rajonal, që është kyç për perspektivën e rajonit tonë. Në këtë kontekst, u përshëndet nënshkrimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës, si një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve midis tyre, për stabilitetin e rajonit dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, e gjitha kjo në dobi të mirëqenies së qytetarëve tanë.Një prej temave ishte edhe sfida aktuale e shëndetësisë dhe e gjendjes epidemiologjike në të dyja vendet dhe në nivel global, masat dhe aktivitetet të cilat të dy shtetet i kanë ndërmarrë në luftën kundër virusit COVID 19, në kuadër të së cilës ishte përshëndetur bashkëpunimi i deritanishëm dhe ndihma e ndërsjellë midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Related posts

Kryetari Ahmeti mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasadori i Zvicrës, Sh.T.Z. Christoph Sommer

Shkup, 2 shtator 2026 Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e…

Kryetari Ahmeti uron 1 shtatorin - fillimin e vitit të ri shkollor

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, uron 1 shtatorin – fillimin e vitit të ri shkollor. Në vazhdim, postimi…

BDI: Qeveria i tërheq 6 milion euro të siguruara për ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina” mjetet dhe plani ishin gati por kjo qeveri zgjodhi të mos e realizoj ketë projekt

Shkup, 31 gusht 2026 BDI – Konferencë për media Bekim Rexhepi – ish Zëvendës Ministër i Transportit dhe Lidhjeve https://www.facebook.com/share/v/1TM6tRCjv9/?mibextid=wwXIfr Të nderuar…