Anëtare e zgjedhur e Këshillit të Përgjithshëm
Rihana Aliu

Rihana Aliu është mësuese e përkushtuar me mbi 10 vite përvojë në arsimin fillor. Studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin Filozofik në Tetovë, në drejtimin Pedagogji (2015), ndërsa më pas ka vijuar studimet master në të njëjtin drejtim, duke thelluar njohuritë dhe kompetencat profesionale në fushën e edukimit.
Karrierën e saj e ka ndërtuar përmes përvojës në institucione arsimore të njohura, duke punuar 2 vite në shkollën “Woodrow Wilson” dhe 8 vite në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi” – Tetovë, ku vazhdon të punojë edhe aktualisht. Ajo është angazhuar gjithashtu si anëtare e komisionit për përpilimin dhe kontrollimin e testimeve shtetërore, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së vlerësimit arsimor.
Rihana Aliu ka qenë pjesëmarrëse në konferenca edukative brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe konferencën mbarëkombëtare në Zyrih, si dhe autore e artikujve profesionalë në fushën e arsimit. Ajo ka kontribuar edhe në përpilimin e një doracaku për edukimin multikulturor, duke promovuar vlera të diversitetit dhe gjithëpërfshirjes në sistemin arsimor. Gjithashtu, ka qenë pjesëmarrëse aktive në një sërë trajnimesh profesionale, duke përditësuar vazhdimisht njohuritë dhe praktikat bashkëkohore në arsim. Është e angazhuar edhe në organizata ndërkombëtare joqeveritare, ku ka zhvilluar trajnime mbi metodologjitë kreative dhe bashkëkohore të mësimdhënies.
Rihana Aliu angazhohet për një arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjithë, duke e parë edukimin si themel të zhvillimit shoqëror dhe të ardhmes së vendit.
