Anëtar i zgjedhur i Këshillit të Përgjithshëm
Sadush Arifi

Sadush Arifi, i lindur në vitin 1979 në fshatin Radushë, Komuna e Sarajit, është një profesionist me përvojë të gjatë në sektorin publik dhe në menaxhimin institucional, me angazhim të vazhdueshëm edhe në jetën shoqërore dhe politike.
Arsimin fillor e ka përfunduar në Shkollën Fillore Komunale “Faik Konica” në Radushë (1985/86–1993/94), ndërsa arsimin e mesëm në Shkollën e Mesme Komunale “Zef Lush Marku” (1993/94–1996/97). Studimet e larta i ka ndjekur në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku është diplomuar në drejtimin Profesor i Gjeografisë (1997/98–2003/04). Më tej, ka përfunduar studimet e ciklit të dytë në Shkup, duke fituar titullin Magjistër i Shkencave në fushën e Sigurisë dhe Detektivistikës, me temën “Sistemi Penitenciar në Republikën e Maqedonisë së Veriut” (2022).
Karrierën profesionale e ka nisur në vitin 2002 si arsimtar i gjeografisë në Shkollën Fillore “Faik Konica” në Radushë, ku ka punuar deri në vitin 2008. Në periudhën 2008–2011 ka qenë i angazhuar në administratën publike, në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Nga viti 2011 deri në vitin 2013 ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të njësisë në Qendrën për Menaxhim me Kriza, periudhë gjatë së cilës ka ndjekur një sërë trajnimesh dhe seminaresh ndërkombëtare dhe vendore në qytete dhe institucione të rëndësishme si Brukseli (NATO), Zagrebi, Ljublana dhe Mynihu.
Në periudhën 2013–2018 ka shërbyer si zëvendësdrejtor i Institucionit Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Idrizovës, ndërsa nga viti 2018 deri në vitin 2024 ka ushtruar të njëjtën detyrë në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues – Burgu i Shutkës, duke kontribuar në menaxhimin dhe funksionimin e sistemit penitenciar në vend.
Paralelisht me angazhimin profesional, Sadush Arifi ka qenë aktiv në jetën politike. Nga viti 2002 deri në vitin 2014 ka ushtruar funksionin e kryetarit të Këshillit Vendor të BDI-së në Radushë. Në periudhën 2014–2025 ka qenë anëtar i Kryesisë së Degës së BDI-së në Saraj dhe njëkohësisht nënkryetar i degës. Ai ka qenë delegat në të gjitha kongreset e BDI-së dhe pjesëmarrës në Kongresin e vazhdimësisë, ndërsa më 20 dhjetor është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së.
Sadush Arifi është i martuar dhe prind i dy fëmijëve të rritur. Ai zotëron gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze. Dallohet për aftësi të shkëlqyera komunikative dhe organizative, përvojë të theksuar në menaxhim dhe punë ekipore, si dhe për qasje pragmatike në zgjidhjen e situatave të ndërlikuara, duke luajtur shpesh rolin e ndërmjetësuesit si në jetën institucionale ashtu edhe në atë private.
