MASH-i firmosi memorandum bashkëpunimi me Ambasadën e Zvicerane për projekt me vlerë gati 6 milionë franga zvicerane

Promovimi dhe ngritja e cilësisë së arsimit të mesëm profesional në vend nëpërmjet avancimit dhe zgjerimit të konceptit të të mësuarit përmes punës në kompani do të jetë fokusi i punës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në muajt e ardhshëm, ndërsa mbështetja për arritjen e qëllimeve të përcaktuara është siguruar nga Qeveria e Konfederatës Zvicerane.

Me këtë rast, sot ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri dhe ambasadorja e  Zvicrës në Shkup, Veronik Ulman, nënshkruan memorandum për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm të krijuar disa vite më parë, i cili parasheh zbatimin e një plani konkret me më shumë aktivitete të përbashkëta deri në vitin 2026.

“Memorandumi do të mundësojë vazhdimin e fushatës “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm ”, ku do të jetë  viti i katërt i zbatimit të saj në vend, duke zgjeruar dhe promovuar arsimin dual  si koncept i bazuar në të mësuarit përmes punës në kompani dhe jep kontribut jashtëzakonisht të madh në ngritjen e nivelit të punësimit tek të rinjtë dhe shkurtimin e kohës së kalimit nga arsimi në punë”, u shpreh  Shaqiri.

Ai njoftoi se përgjat këtyre tre viteve  konceptin e arsimit dual e  pranuan  61 shkolla në vend ndërsa në vitin e parë ishin  vetëm 8 shkolla.

“ Nga 11 paralelet në të cilat u  realizua arsimi dual në vitin shkollor 2020-2021 me gjithsej 98 nxënës, në këtë vit shkollor 2022-2023 kemi 225  paralele të quajtura paralele duale me 3228 nxënës. Ose gjithsej gjatë këtyre  tre viteve në arsimin dual janë regjistruar mbi 4800 nxënës. Gjithashtu MASH ka siguruar edhe stimulime shtesë për të rritur interesimin për këtë lloj arsimimi, me ndarjen  e 1500 bursave për nxënësit që do të regjistrohen në paralelet duale edhe atë, në vlerë prej 3300 denarë në muaj. Gjithashtu do të ndaj informatën se  numri i kompanive që kanë pranuar të jenë pjesë e arsimimit të të rinjve, duke parë tek ata  fuqinë punëtore potenciale kualitative është rritur nga 16 në 450 kompani”, shtoi ministri, duke shprehur mirënjohjen ndaj qeverisë zvicerane për mbështetjen

Për ambasadoren  Ulman është kënaqësi të ndihmohet kur synimet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut janë të dukshme për krijimin e kuadrove cilësore që i mungojnë ekonomisë, por edhe përpjekjet për zhvillimin dhe integrimin e sistemit arsimor nacional  në hapësirën arsimore evropiane.

“Bashkëpunimi ynë filloi në vitin 2018 dhe që atëherë ka dhënë rezultate të rëndësishme si për të rinjtë poashtu edhe për sektorin privat në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Si pjesë e këtij Memorandumi të Bashkëpunimit, Zvicra do të ndajë 5.9 milionë franga zvicerane shtesë, me ç`rast mbështetja e përgjithshme e Zvicrës për reformat e sistemit për zhvillimin e aftësive profesionale në vend do të rritet në 12 milionë franga zvicerane. Shkëmbimi i përvojave në kuadrin e mbështetjes zvicerane dhe shkëmbimi i njohurive dhe praktikave më të mira mbështet drejtpërdrejt sistemin dual profesional dhe arsimor duke e lidhur sektorin privat me arsimin, me qëllim që t`i mundësohet të njejtit qasje deri te fuqia punëtore të kualifikuar dhe për të kontribuar në mundësi punësimi të denjë për të rinjtë në vend”, theksoi ambasadorja  Ulman.

Pas nënshkrimit të memorandumit, i cili shënon fillimin e fazës së dytë të bashkëpunimit tonë, të gjitha palët e interesuara do të fokusohen në realizimin e planit të përbashkët të punës për periudhën 2023-2026, gjegjësisht planin që parashikon vazhdimin e dialogut  dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat, si dhe përmbajtjet e reja promovuese që do të mbështesin regjistrimin në arsimin e mesëm professional.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…