BDI: Deklaratë skandaloze e deputetit të VLEN-it, Bekim Qoku, i cili arsyeton dobësinë e VLEN-it me “fuqinë e tmerrshme” të VMRO-DPMNE-së: VLEN-i e ka zgjedhur servilizmin si ilaç përballë saj

I pyetur nga gazetari se përse VLEN-i është kaq i dobët në Qeveri, njëri nga drejtuesit e saj, Bekim Qoku, u përgjigj se VMRO-DPMNE është “tmerrësisht e fortë”.

Kjo përgjigje është absurde dhe, njëkohësisht, shumë zbuluese.

Çoku nuk shpjegoi çfarë po bën VLEN-i për ta kufizuar fuqinë e VMRO-DPMNE-së. Nuk tha cilat kushte i kanë vendosur partnerit qeveritar, cilat vendime i kanë ndaluar, cilat interesa shqiptare i kanë mbrojtur dhe ku janë vijat e tyre të kuqe.

Ai thjesht pranoi se VLEN-i është i dobët dhe se VMRO-DPMNE është tmerrësisht e fortë.

Atëherë, përse jeni në Qeveri?

Përse mbani funksione, nëse vetë pranoni se nuk keni fuqi politike? Cili është roli juaj, përveçse të siguroni votat e nevojshme për vendimet e VMRO-DPMNE-së dhe t’i jepni asaj mbulesë shqiptare?

VLEN-i i humbi zgjedhjet në kampin politik shqiptar, por u përzgjodh nga VMRO-DPMNE si partneri i saj i preferuar. Sot bëhet e qartë përse: VMRO-DPMNE nuk kërkonte një partner që do ta kushtëzonte, por një partner që do t’i nënshtrohej.

Dhe VLEN-i e zgjodhi servilizmin si ilaç përballë fuqisë së VMRO-DPMNE-së.

Po përpiqen ta dobësojnë duke i thënë: “Po”- çdo vendimi?
Po përpiqen ta frenojnë duke heshtur ndaj çdo goditjeje mbi shqiptarët?
Po përpiqen ta balancojnë duke pranuar përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet?
Po përpiqen ta kufizojnë duke hequr dorë nga çdo kusht dhe çdo qëndrim politik?

Sa më shumë përkulet VLEN-i, aq më e fortë bëhet VMRO-DPMNE. Sa më shumë hesht VLEN-i, aq më shumë zgjerohet pushteti i partnerit të tij. Sa më shumë mbahen pas funksioneve, aq më shumë dobësohet përfaqësimi politik i shqiptarëve.

Në politikë, fuqia e partnerit nuk është arsyetim për pafuqinë tënde. Përkundrazi, është arsye për ta kushtëzuar, për ta bllokuar kur cenohen interesat që përfaqëson dhe, kur nuk ke më asnjë ndikim, për t’u larguar nga Qeveria.

Prandaj Bekim Qoku dhe gjithë drejtuesit e VLEN-it duhet të përgjigjen:

Nëse VMRO-DPMNE është “tmerrësisht e fortë”, çfarë po bëni ju përballë saj? Apo servilizmi është i vetmi ilaç politik që njihni?

Video: https://www.facebook.com/share/v/1M47UDdqAt/?mibextid=wwXIfr

Related posts

BDI: Kosmopolitit Shasivari i duhet kohë për provimin e jurisprudencës në shqip kurse nxitoi ta paragjykojë aktgjykimin e Hagës

Për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, edhe pas kërkesave të përsëritura të studentëve dhe protestave, ministrit Jeton Shasivari i duhet kohë,…

BDI: Kush po e mbron Stoilkoviqin? Kuvendi duhet të nxjerrë të vërtetën.

Shkup, 23 shtator 2026 BDI – Konferencë për media Ilir Hasani – Deputet & Anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të…

BDI: Një javë heshtje pas aktgjykimit, Shasivari duhet të japë dorëheqje

Ka kaluar një javë nga shpallja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ende nuk ka dhënë…