BDI: Stoilkoviç – agjenti paralajmërues i revizionizmit të Marrëveshjes së Ohrit.

Shkup, 3 korrik 2026

BDI – Konferencë për media

Faton Aliti – Anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm

https://www.facebook.com/share/v/1YJBrSeyye/?mibextid=wwXIfr


Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Emrimi i Ivan Stoilkovic si minister i vetqeverisjes lokale nuk është vetëm një ndryshim i zakonshëm ministror. Ne fakt eshte një paralajmërim serioz politik: përpjekjen e radhës për ta prekur, relativizuar dhe rishkruar Marrëveshjen Paqësore të Ohrit.

Kur Ivan Stoilkoviq u vendos në krye të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, institucioni që historikisht lidhej me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, mesazhi ishte i qartë: Qeveria donte ta ulte Marrëveshjen e Ohrit nga marrëveshje paqësore shtetformuese dhe shqiptaro- maqedone në çështje teknike të “pakicave”.

Ky ishte poshtërim simbolik. Por pas simbolikës erdhi veprimi.

Gjuha shqipe u sulmua. Inspektorati u dobësua. Agjencia për Zbatimin e Gjuhës u godit. Balancuesi u shfuqizua. Përfaqësimi i drejtë u relativizua. Çdo ditë nga pak, çdo institucion nga pak, çdo ligj nga pak — po ndërtohej një proces i heshtur i revizionizmit të Marrëveshjes së Ohrit.

Dhe tani, pas dy vitesh rrënimi, fotografia bëhet edhe më e qartë.

I njëjti Ivan Stoilkoviq dërgohet në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale. Jo rastësisht. Jo teknikisht. Jo administrativisht.

Sepse tani në shënjestër është shtylla më e rëndësishme e Marrëveshjes së Ohrit pas gjuhës dhe përfaqësimit: decentralizimi dhe ndarja territoriale e vitit 2004.

Ndarja territoriale e vitit 2004 nuk është hartë komunash në letër. Ajo është pjesë e arkitekturës së paqes. Është mekanizmi që e bëri shtetin më të drejtë, më funksional dhe më të barabartë. Është një nga themelet mbi të cilat u ndërtua bashkëjetesa pas vitit 2001.

Prandaj, kur sot flitet për uljen e numrit të komunave nga 80 në 50, nuk flitet për racionalizim administrativ. Flitet për rihapje të një çështjeje të mbyllur me marrëveshje paqësore. Flitet për ndërhyrje në balancën politike, etnike dhe institucionale të shtetit.

Dhe këtë projekt nuk mund ta udhëheqë një njeri që nuk e përfaqëson frymën e Ohrit, që nuk e ka mbrojtur Marrëveshjen e Ohrit dhe që politikisht është simbol i kundërt i saj.

Është e papranueshme që njeriu i vendosur dje për ta relativizuar Ohrit, sot të vendoset për ta prekur hartën e Ohrit.

Është e papranueshme që mbi komunat e Çairit, Tetovës, Sarajit, Likovës, Gostivarit, Strugës dhe të gjitha komunave tjera shqiptare të vendosë një ministër që nuk ka as legjitimitet politik, as ndjeshmëri historike, as mandat moral për këtë çështje.

Prandaj sot e themi qartë:

Mos e hapni këtë temë.
Mos e prekni ndarjen territoriale të vitit 2004.
Mos luani me shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit.
Mos e testoni durimin politik të shqiptarëve.

Ashtu siç nuk do të lejojmë cenimin e gjuhës shqipe, nuk do të lejojmë as cenimin e decentralizimit.

Ashtu siç nuk do të pranojmë kthim prapa në përfaqësim, nuk do të pranojmë as kthim prapa në vetëqeverisje lokale.

Ashtu siç nuk do të lejojmë fshirjen e të drejtave tona nga institucionet, nuk do të lejojmë as vizatimin e hartave të reja mbi kurrizin e shqiptarëve.

Kjo nuk është çështje partiake. Kjo është çështje shtetërore. Kjo është çështje paqeje. Kjo është çështje barazie.

Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e një qeverie. Nuk është pronë e një partie. Nuk është pronë e një ministri. Është themel i rendit kushtetues dhe politik të këtij shteti.

Kush e prek Ohrit, prek paqen.
Kush e prek decentralizimin, prek barazinë.
Kush e prek ndarjen territoriale të vitit 2004, hap një konflikt politik që ky shtet nuk ka nevojë ta hapë.

Prandaj, nga këtu, i bëjmë thirrje Qeverisë: ndaluni menjëherë.

Nëse keni probleme me funksionimin e komunave, forconi komunat. Nëse keni probleme me financimin lokal, rritni decentralizimin fiskal. Nëse doni administratë më efikase, luftoni korrupsionin dhe keqmenaxhimin. Por mos e përdorni reformën si maskë për revizionizëm etnik dhe politik.

Shqiptarët nuk do të jenë spektatorë të këtij procesi.

Çdo tentim për të prekur ndarjen territoriale të vitit 2004 do të hasë në kundërshtim të fuqishëm politik, institucional dhe qytetar.

Marrëveshja e Ohrit është vijë e kuqe.
Gjuha shqipe është vijë e kuqe.
Përfaqësimi i drejtë është vijë e kuqe.
Decentralizimi është vijë e kuqe.
Ndarja territoriale e vitit 2004 është vijë e kuqe.

Dhe kjo vijë nuk do të kalohet.

Faleminderit.

Related posts

Dega Shuto Orizare mbajti Kuvendin Zgjedhor

Shuto Orizare, 2 korrik 2026 Sonte, në një atmosferë të ngrohtë, vëllazërore dhe plot entuziazëm, kryetari Ali Ahmeti mori pjesë në Kuvendin…

Kryetari Ahmeti përkujton 2 korrikun, shpalljen e Kosovës njësi të barabartë dhe të pavarur

Kryetari Ali Ahmeti përkujton me respekt 2 Korrikun 1990, ditën kur deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës ndërmorën një hap historik, duke…

Kryetari Ahmeti morri pjesë në pritjen e organizuar nga ambasadorja amerikane, Sh.S.znj. Nicole Varnes

Shkup, 1 korrik 2026 Me ftesë të Sh.S. znj. Nicole Varnes, Ushtruese e Detyrës së Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës…