Shkup, 23 dhjetor 2024
Në fjalimin tradicional të fundvitit, të mbajtur para qindra anëtarëve dhe simpatizantëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, kryetari Ali Ahmeti shpalosi vlerësimet e tij mbi zhvillimet politike që shënuan vitin që po lëmë pas.
Ai theksoi se vendi kaloi nëpër një proces zgjedhor të pranuar nga të gjithë, por me një epilog jo të favorshëm për shqiptarët, pavarësisht vullnetit të tyre politik të shprehur në zgjedhje.
Kryetari Ahmeti nënvizoi se marrëdhëniet ndëretnike mbeten çelësi i stabilitetit dhe i së ardhmes së shtetit, ndërsa integrimi në Bashkimin Evropian përfaqëson perspektivën e përbashkët dhe orientimin strategjik të vendit.
Duke folur për Marrëveshjen e Ohrit, ai rikujtoi se kjo marrëveshje ndaloi konfliktin, hapi rrugën e dialogut dhe garantoi paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën. Sipas tij, pavarësisht se ishte rezultat i kompromisit, Marrëveshja e Ohrit mbetet një arritje historike e garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Kryetari Ahmeti paralajmëroi se çdo cenim i Marrëveshjes së Ohrit paraqet rrezik për stabilitetin e vendit dhe të rajonit, duke theksuar se respektimi i saj është kusht i domosdoshëm për paqen dhe përparimin.
Ai gjithashtu ritheksoi nevojën për një proces të mirëfilltë vetingu, si zgjidhja e vetme për ndërtimin e një sistemi të drejtësisë të pavarur, forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e balancës institucionale.
Në fund, kryetari Ahmeti u bëri thirrje partive shqiptare në Qeveri që të reflektojnë dhe të mbrojnë të arriturat kombëtare, duke theksuar se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk është pronë e asnjë partie politike, por një e drejtë e fituar me shumë sakrifica, përkushtim dhe mund.
Ai bëri thirrje për unitet në mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit, gjuhës shqipe dhe të gjitha arritjeve që garantojnë dinjitetin, barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.


